Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Azinë, James O’Brien, para disa ditësh ka deklaruar në Beograd, në një intervistë për RTS, se SHBA-të presin që të respektohen të gjitha marrëveshjet e dakorduara ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në procesin e dialogut në Bruksel, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas tij Uashingtoni pret që sa më parë draft statuti Asocacionit të shkojë në Gjykatë Kushtetuese.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për TV Arbëria, ka folur Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni ku deklaroi se kjo parti me të drejtë do të fitoj edhe në zgjedhjet parlamentare të 9-të shkurtit.
“LDK, me të drejtë dhe për të gjitha arsyet do të fitoj edhe në zgjedhjet parlamentare të 9-të shkurtit”, është shprehur ai.
Sipas vlerësimit të tij, fitorja e LDK-së do të mundësoj që menjëherë të kthejë raportet e Kosovës me SHBA-të në normalitet.
“E fitorja jonë na mundëson që, menjëherë – ashtu si përherë, të kthejmë raportet e Kosovës me ShBA-të – miqtë e përjetshëm, në normalitet e stabilitet, praktikisht në gjendjen tonë natyrale dhe origjinale. E me këtë rast, bashkë me ta, si përherë do të ulemi dhe do të argumentojmë se marrëveshja që ka arritur Kurti është shumë përtej; drafti i Asociacionit është përtej”, tha ai për TV Arbëria.
Mes tjerash, Quni thotë se qëndrimi i LDK-së është i bazuar në të gjeturat, pastaj në gjuhën e tyre argumentuese politike, dhe shprehet se janë të bindur se janë zgjidhja e duhur.
“Qëndrimi i LDK-së është i bazuar në të gjeturat, pastaj në sjelljen dhe gjuhën tonë argumentuese politike, ndaj dhe jemi të bindur se jemi vetë zgjidhja e duhur.”
Tutje, Quni thekson se LDK është e vendosur që të ruaj funksionalitetin e shtetit të Kosovës, derisa shton se kjo parti e ka bërë një gjë të tillë që nga koha e Presidentit Rugova.
“LDK është e vendosur që të ruaj funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe miqësinë e Republikës me miqtë e përjetshëm. LDK ka ditur dhe e ka bërë një gjë të tillë që nga koha e Presidentit Rugova”, përfundoi Quni për TV Arbëria.