Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > 25 vjet pas rënies së Millosheviqi, Burjani: Kosova e pavarur por ende në pasiguri dhe pa besimin e BE-së e SHBA-së

25 vjet pas rënies së Millosheviqi, Burjani: Kosova e pavarur por ende në pasiguri dhe pa besimin e BE-së e SHBA-së

Sot shënohen 25 vjet nga rënia e regjimit të Sllobodan Millosheviqit – një moment historik për rajonin, por për Kosovën, sfidat politike dhe të sigurisë vazhdojnë edhe një çerek shekulli më pas. Për këtë temë, për Arbëria TV ka folur analisti politik Blerim Burjani, i cili ka ofruar një pasqyrë të qartë të gjendjes aktuale.

“Kosova është e pavarur, përderisa Serbia edhe pas Millosheviqit gjendet në tranzicion të thellë nacionalist. Politikisht, ende Serbia ndërhyn në Kosovë, në pjesët ku jeton pakica serbe. Veriu mbetet edhe për një kohë zonë pa siguri, por gjasat pas formimit të institucioneve lokale në veri janë që gjendja mund të ketë tentativë të kthehet në pasiguri dhe simbole të një shteti tjetër, pra të Serbisë,” tha Burjani për Arbëria TV.

Ai shtoi se “mbetet të shihet se si do të sillen autoritetet qendrore pas formimit të institucioneve lokale në veri. Atje ka një ndryshim plotësisht të ndryshëm.”

Në aspektin politik, Burjani vlerësoi se Kosova ka humbur mbështetje ndërkombëtare për shkak të mënyrës së menaxhimit të veriut.

“Kosova ka humbur shumë favore politike nga BE dhe SHBA për shkak të veriut dhe ndërhyrjes së njëanshme të Kurtit pa bashkëveprim. Ndërhyrja e Kurtit ka bërë që veriu të pastrohet nga shumë probleme nacionaliste dhe ndërhyrëse të Serbisë, por BE dhe SHBA nuk e kanë pëlqyer metodën e tij për kthimin e sovranitetit,” theksoi ai.

Burjani shtoi se “ideja e BE-së ka qenë që ky problem të zgjidhet me Asociacionin e komunave serbe, por kjo nuk ndodhi asnjëherë gjatë mandatit të Kurtit. Vështirë se do të ketë asociacion sipas modelit të BE-së, që ishte gjysmë ‘Republika Srpska’ në Kosovë, me arbitrazh si në Bosnje dhe Hercegovinë për Brçkon.”

Sipas tij, integrimi i serbëve në institucionet kosovare është jetik për integrimin e Kosovës në BE.

Duke folur për sigurinë, Burjani u shpreh se “siguria nuk është problem i madh për shkak se KFOR-i merret me atë temë, por gjithmonë do të ketë tentativa për destabilizim nga Serbia, apo ndonjë konflikt të vogël në veri. Po punohet shumë nga SHPK për të ndalur çdo përpjekje të përsëritjes së ndonjë konflikti. Mosdorëzimi i Radoiçiqit tek institucionet e Kosovës është problem,” tha ai për Arbëria TV.

Në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare, Burjani tha:

“BE dhe SHBA kanë humbur besimin tek Kurti sa i përket bashkëpunimit me të. Përderisa Kurti ka kryer sipas tij punën me veriun, tani pajtimi mes Kurtit dhe BE-së e SHBA-së është një sfidë për të gjitha palët, për të arritur një qëllim të përbashkët – integrimin e serbëve të veriut në institucionet kosovare, që sipas mendimit tim është e vetmja mënyrë e pajtimit në këto rrethana.”

Në përfundim, Burjani vuri në dukje se “masat e BE-së dhe dialogu strategjik me SHBA-në kanë rëndësi të veçantë për Kosovën. Kosova është i vetmi shtet në rajon pa status anëtarësie në BE, çka përbën problemin kryesor në raport me Brukselin.”