Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > 25 vjet nga konferenca e Rambujesë

25 vjet nga konferenca e Rambujesë

Para 25 vjetësh në Rambuje të Francës i filloi punimet Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën. Kjo konferencë u ftua nga Grupi i Kontaktit, i përbërë në atë  kohë nga SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Rusia.

Pas masakrës së Recakut, ku u ekzekutuan 45 civilë të pafajshëm shqiptarë nga forcat policore dhe paraushtarake serbe, u pa qartë se Kosova gjendej buzë një katastrofe humanitare. Dhe se ky skenar nuk mund të  parandalohej nga Marrëveshja Holbrooke-Miloshoviq e tetorit të  vitit 1998, në bazë të së cilës ishte vendosur Misioni civil verifikues i OSBE-së.

Në këto rrethana, më 29 janar u mblodh Grupi i Kontaktit. Takimi u zhvillua në Londër në pallatin Lancetar House, një pallat nga shekulli i 19-të, në afërsi të Pallatit Mbretëror, të cilën Qeveria e Shkëlqesisë së saj e shfrytëzonte për takime ndërkombëtare.

Me këtë rast, ky Grup u kërkoj të dy palëve, asaj jugosllave dhe palës shqiptare, që t’i dërgonin delegacionet e tyre në  Kështjellën e ndërtuar gjatë kohës së Luigji të XVI në vitin 1783, në një konferencë që kishte për qëllim të gjendej një zgjidhje politike për çështjen e Kosovës. Palët instruktoheshin se duhet të bënin përpjekje që brenda 21 ditëve të arrinin deri te kompromisi, përndryshe Grupi i Kontaktit do t’i konsideroj palët përgjegjëse nëse ato dështonin të shfrytëzojnë rastin që u është dhënë.

Punimet e konferencës u hapën nga bashkë-drejtuesit e saj, Robin Cook, Sekretari i Jashtëm britanik dhe Hubert Vedrin, Ministër i Jashtëm i Francës, si vend nikoqir i konferencës.

Delegacioni shqiptar i Kosovës përbëhej nga përfaqësues të rangut më të lartë, si nga UÇK-ja ashtu dhe nga përfaqësuesit e partive politike sikurse LDK-ja e udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova, nga Lëvizja e Bashkuar Demokratike e drejtuar nga Rexhep Qosja si dhe përfaqësues të shoqërisë civile si Veton Surroi dhe Blerim Shala, udhëheqës i delegacionit të shqiptarëve u zgjodh Hashim Thaçi.

Pas tri javë negociatash, tensionesh dhe diskutimesh, delegacioni i Kosovës e pranoi në parim këtë marrëveshje kalimtare por që në tekstin e së cilës në fund u përfshi edhe formulimi, që  “tre vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, një konferencë ndërkombëtare do të mbahet për ta përcaktuar një mekanizëm për zgjidhjen përfundimtare për Kosovën, bazuar në ‘vullnetin e popullit’, në mendimet e autoriteteve relevante”.

Mirëpo, në  fund ky delegacion kërkoj dy javë  kohë për ta nënshkruar në mënyrë që të konsultohej me popullin e Kosovës. Me këtë moratorium u pajtua edhe pala serbe. Konferenca u përmbyll më 23 shkurt në mënyrë që palët të ktheheshin pas dy jave për të nënshkruar të njëjtin dokument.

Me këtë rast, më 15 mars të dy delegacionet u rikthyen në Paris. Kështu, më 18 mars të  vitit 1999, dokumenti përfundimtar, pra varianti i 23 shkurtit, u nënshkrua në Paris nga delegacioni i Kosovës, Hashim Thaçi, Dr.Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi. Kurse, nën emrin e bashkësisë ndërkombëtare këtë dokument e pranuan ambasadorët, Chistopher Hill dhe Wolfang Petrisch, njëri si përfaqësues i SHBA-së dhe tjetri si përfaqësues i Unionit Evropian. Delegacioni serb nuk e nënshkroi këtë dokument dhe u largua nga aty. Kështu kjo konferencë i përmbylli punimet.

Në këtë mënyrë, refuzimi serb i hapi rrugë intervenimit të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe. Ky aksion filloi më 24 mars, kurse për qytetarët e Kosovës pas një shekulli nën robërinë serbe në qershor më në fund agoi liria. Liri kjo për të cilën dhanë jetën dhe u sakrifikuan gjenerata të tëra.

 /TV Arbëria

Powered by WordPress