Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > 24-vjetori i masakrës, krerët shtetërorë: Serbia bëri gjenocid ndaj shqiptarëve në Izbicë

24-vjetori i masakrës, krerët shtetërorë: Serbia bëri gjenocid ndaj shqiptarëve në Izbicë

Në 24-vjetorin e masakrës të Izbicës ku mbetën të vrarë 147 shqiptarë, krerët e shtetit kanë bërë homazhe në kompleksin memorial të Izbicës. Nga aty krerët e shtetit thanë se Izbica është dëshmi e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se masakra e Izbicës ka qenë ndër më të tmerrshmet që Serbia si shtet gjenocidal bëri ndaj popullit të Kosovës.

Ajo tha se edhe Izbica është njëra ndër dëshmitë e shumta që shteti serb ka kryer gjenocid dhe qëllim kishte shfarosjen e shqiptarëve.

Osmani: Izbica është një ndër dëshmitë e shumta që shteti serb ka kryer gjenocid

“Krimi nuk përfundoi me vrasjen e masakrimin e qytetarëve tanë në Izbicë por u dyfishuar kur forcat serbe zhvarrosen të vrarët dhe i rivarrosen ata në varreza masive nëpër vende të ndryshme të Serbisë dhe Kosovë. Trupat e tyre u gjetën vite më pas duke përfshirë edhe 6-mujashen Dafinën që tregon mizorinë e krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë. Edhe Izbica është një ndër dëshmitë e shumta që shteti serb ka kryer gjenocid dhe qëllimin e kishte që të shfaroste popullin shqiptar, prandaj edhe sot këtu e ndajmë dhimbjen me të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre sepse dhimbja e tyre është dhimbje e Kosovës. Liria jonë u bë e mundshme shkaku i të gjitha këtyre viktimave, shkaku i luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe natyrisht sakrificës së të gjithë popullit tonë”, theksoi ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas homazheve deklaroi se do të angazhohen për të sjellë drejtësi për viktimat dhe familjet e gjenocidit të bërë nga Serbia.

Ai tha se sot krahas 147 personave të vrarë dhe 6 të pagjeturve, sot kujtojnë dhe nderojnë edhe Mustafë Dragajn, të mbijetuarin e masakrës i cili pati dëshmuar kundër Sllobodan Millosheviqit, në Tribunalin e Hagës.

Kurti: Masakra e Izbicës ndodhet në aktakuzat e gjashtë krerëve të lartë shtetërorë e politikë të Serbisë

“Jemi këtu të nderojmë dhe të përkujtojmë të vrarët nga regjimi fashist e gjenocidal i Millosheviqit, në Izbicë, 147 sosh gjithsej, 6 janë ende të pagjetur. Siç e tha edhe presidentja, ata janë rrëmbyer si shqiptarë të gjallë, e më pastaj, pas pushkatimit, janë rrëmbyer edhe kufomat, janë dërguar në Serbi dhe në fund janë zhvarrosur prej atje, por jo që të gjithë, meqenëse 6 nuk dihet ende se ku janë, në Petrosello dhe i kanë sjell këtu në atdheun e tyre në vendlindje… Masakra e Izbicës ndodhet në aktakuzat e 6 krerëve të lartë shtetërorë, politikë, policorë, ushtarakë të Serbisë dhe është dëshmi e gjenocidit të Serbisë të cilën ne nuk e harrojmë kurrë dhe për drejtësinë për viktimat dhe familjet që janë gjithashtu viktima dhe i gjithë populli do të angazhohemi përjetë, vazhdimisht, edhe si institucione edhe si qytetarë”, tha Kurti.

/TV Arbëria