Sot është 22 vjetori i vdekjes së komandantit të UÇK-së, Lulzim Morina.
Komandant Luli që kishte kaluar luftërat e rrepta në Bosnjë e Kroaci, duke e ndihmuar luftën e tyre për liri, ishte ndër të parët që iu përgjigj kushtrimit të luftës në Kosovë.
Përvojën e luftës e barti tek rekrutët vullnetarë të UÇK-së. Në mars të vitit 1998, kthehet nga Gjermania në Shqipëri, e prej andej hyri në Kosovë për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Gjatë vitit 1998, ishte anëtar i Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit, më pas edhe zëvendëskomandant i Brigadës 132 “Myrtë Zeneli” dhe komandant i Brigadës 135 “Agim Zeneli” të UÇK-së, duke luftuar me devotshmëri në shumë beteja të përgjakshme, përkrah viganëve të kombit tani dëshmorë, si: Shkëlzen Haradinaj, Xhelal Hajda, Naser Brahimaj, Mujë Krasniqi, Bedri Shala, Bekim Berisha, Agim Zeneli, Fadil Nimani, Avdi Mujaj e shumë të tjerë.
Fatkeqësisht, në një aksident komunikacioni humbi jetën tragjikisht më 18 dhjetor 2000, në Osek Hilë, në magjistralen Gjakovë-Deçan.
Varrimi i tij u bë më 20 dhjetor, me nderime të larta ushtarake, në praninë e mijëra qytetarëve në vendlindjen e tij, në Martiras të Lipjanit. /TV Arbëria