SHKRUAN: R.T
Rritja e paralajmëruar prej rreth 21% e tarifave të energjisë elektrike nuk është thjesht një shifër teknike. Është një goditje direkte në xhepin e qytetarëve, në mbijetesën e familjeve dhe në konkurrueshmërinë e bizneseve.
Dhe kjo po ndodh nën qeverisjen e Albin Kurtit, i cili dikur fliste për drejtësi sociale, por sot po e sheh heshturazi shtrenjtimin e jetës.
KESCO kërkon mbi 49 milionë euro korrigjim, ndërsa KEDS mbi 41 milionë euro, duke e çuar faturën totale mbi 90 milionë euro. Pyetja thelbësore është: pse gjithmonë qytetari duhet ta paguajë dështimin e një sistemi të keqmenaxhuar?
Qeveria Kurti, që erdhi në pushtet me premtime për mbrojtjen e konsumatorit dhe luftë kundër abuzimeve, sot po tregohet e pafuqishme – ose e painteresuar – për të frenuar këtë barrë të re ekonomike.
Në vend të një analize të thellë të sektorit energjetik, në vend të kërkimit të përgjegjësisë nga operatorët dhe rregullatorët, zgjidhja më e lehtë po i servohet publikut: rritja e faturës.
Njohës të energjetikës dhe ekonomisë kanë paralajmëruar qartë se një rritje e tillë do të godasë më së shumti shtresat e varfra, familjet me të ardhura fikse dhe sektorin prodhues, i cili tashmë po lufton me kosto të larta dhe mungesë mbështetjeje.
Por këto paralajmërime duket se bien në vesh të shurdhër.
Ironia është e madhe: një qeveri që e quan veten “popullore”, po lejon që energjinë – nevojën bazike për jetë – ta shndërrojë në luks.