Vështrim: TV Arbëria- Kosova e filloi vitin 2023 ndërmjet tensioneve me Serbinë dhe thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare për uljen e tyre si dhe nevojës urgjente për marrëveshje të bazuar në planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Shumë nga këto tensione ishin pasojë e vitit paraprak, pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për të mos toleruar edhe më tutje përdorimin e targave ilegale pas datës 1 tetor të vitit 2022. SHBA-të fillimisht kërkuan shtyrjen e këtij vendimi për 10 muaj.
Mirëpo, ky afat nuk u pranua nga institucionet e Kosovës. Ndonëse Kosova dhe Serbia, ndërkohë, arritën marrëveshje për çështjen e targave. Kështu, Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte vendimi për shoferët që kanë makina me targa ilegale serbe, ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshonte më targa me emërtime për qytetet e Kosovës.
Mirëpo, si reagim ndaj atij vendimi serbët lokalë në pjesën veriore nën udhëzimin direkt të presidentit të Serbisë, i braktisën institucionet e Republikës së Kosovës, duke i lënë vendet e zbrazëta si në polici dhe gjyqësi. Pjesë e këtij sabotimi u bën edhe kryetarët e Komunës së Mitrovicës Veriore, Leposaviqit dhe Zubin Potokut të cilët vinin na Lista Serbe.
Ndërkohë, për të shmangur këtë vakum, Presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme me 18 dhjetor 2022. Mirëpo, ato u shtynë për 23 prill të vitit 2023, me arsyetimin se mungonin kushtet për mbajtën e tyre. Përpos, kundërshtimit politik u shënuan edhe një sërë aktesh të dhunshme nga grupe bandash të serbëve ndaj zyrave të KQZ-së.
Në një përpjekje diplomatike për të shmangur me çdo kusht agravimin e mëtejmë të situatës së sigurisë dhe konflikteve në mes dy vendeve, Bashkimi Evropian me përkrahjen e SHBA-së organizoi një takim ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel me 27 shkurt të këtij viti. Qëllimi i këtij takimi sipas të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ishte që Kosova dhe Serbia ta pranonin planin e evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet tyre. Bisedat përfunduan pa një nënshkrim. Por, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë ranë dakord se më nuk pa nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian, kishte pohuar pas përfundimit të këtij raundi të negociatave, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell. Zyrtari i lartë evropian po ashtu, bëri të ditur se “nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitete specifike të zbatimit të dispozitave”, duke paralajmëruar kështu takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars.
Ndërkohë, për mungesën e nënshkrimit kryeministri Kurti e akuzoi presidentin e Serbisë se nuk ishte i gatshëm ta bënte një gjë të tillë. Kurse ky i fundit deklaroi për mediat se pas përfundimit të takimit “se ai ka insistuar në themelimin e Asociacionit. Sepse pa zbatimin e këtij obligimi paraprak nga Kosova nuk mund të ketë normalizim të mëtutjeshëm”.
Pajtimi i Albin Kurtit me tekstin e kësaj marrëveshje ngjalli reagime dhe polemika të ashpra në Kosovë. Kontestuese veçanërisht u konsiderua neni shtatë i saj, ku parashihet themelimi i një strukture për “sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, si dhe zyrtarizmi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.
Partia Demokratike e Kosovës u shpreh se “veprimet dhe politikat e gabuara të pushtetit mundësuan heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i sollën vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”.
Kritike ndaj këtij dokumenti u tregua edhe Lidhja Demokratike e Kosovës me argumentin se “propozimi nuk përfshin njohjen, por parasheh zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin”, si dhe ai amniston krimet e Serbisë në Kosovë. Kurse, në dallim nga këto dy parti opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cilësoi atë si një “arritje të madhe sepse marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike dhe njohjeve të reja”.
Nën ndikimin e këtyre (mos)marrëveshjeve, ndërmjetësuesit i ftuan palët në takimin e radhës në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me shpresën për ta finalizuar planin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Me datën 18 mars, pas 12 orë të bisedave, takimi përfundoi vetëm me pajtimin verbal të palëve, por përsëri pa nënshkrim, çfarë ka ndikuar që nga ajo kohë të mos mungoi dykuptimësia për këtë plan.
Bashkimi Evropian e quajti si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve. Në një prononcim për media Josep Borell, deklaroi se ajo që “palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë. Kurse për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”. Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Vuçiq, pohoi se u arrit “njëfarë marrëveshje, por me rëndësi që tashmë formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”. Prandaj, “më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë. Të gëzuar për këtë dakordim u shprehën edhe zyrtarët amerikanë. Duke komentuar pajtimin e palëve, Escobar tha se ai hap “derën për një integrim më të madh euro-atlantik të të dyja vendeve”.
Sidoqoftë, kur u duk se procesi po hynte në një fazë të pajtimit edhe për shkak të trysnisë ndërkombëtare, për ta detyruar Kosovën dhe Serbinë t’i normalizonin raportet veçanërisht pas shpërthimit të Luftës në Ukrainë, tensionet dhe konfliktet në mes dy vendeve njohën një pikë tjetër kritike. Kosova vendosi që t’i mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme me 23 prill në katër komunat në pjesën veriore. Bashkësia Ndërkombëtarë fillimisht e përkrahi këtë qëndrim.
Me anë të një komunikate të përbashkët për shtyp shtetet e QUINT-it bënë thirrje “që të gjitha palët të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën që do të mund ta prishte procesin zgjedhor”.
Në dallim nga proceset e kaluara zgjedhore kur KQZ-ja qendrat e votimit i organizonte në shkolla, kësaj here ato u improvizuan nëpër kontejnerë. Por pjesëmarrja e qytetarëve serbë qe tejet e ulët, edhe pse ato kaluan pa incidente. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar. Dy partitë shqiptare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, i fituan këto komuna. Kurse LDK dhe AAK nuk morën pjese ne këto zgjedhje.
Mirëpo, situata u komplikua pas certifikimit të kryetarëve të rinj. Lista serbe u zotua që të mos e lejojë fillimin e punës së tyre në objektet komunale. Ish-nënkryetari i kësaj partie, Millan Radoiçiq u shpreh se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës edhe përkundër paralajmërimeve të bashkësisë ndërkombëtare për të shmangur tensionet, vendosi që me anë të forcave të shtuara policore, një ditë pas betimit të kryetarëve, ta shoqëroi kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqir, atë të Leposaviqit, Lulzim Hetemi dhe të Zubin Potokut, Ilir Peci, për në objektet komunale, me arsyetimin se ato janë prona të Republikës së Kosovës.
KFOR-i e quajti këtë situatë tepër të rrezikshme. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, misioni paqeruajtës, pohoi se “është duke e monitoruar nga afër situatën në komunat në veri të Kosovës, ku janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapo zgjedhur në ndërtesat komunale”.
Kurse në një reagim të ashpër ndaj këtij intervenimi, Sekretari i shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, tha se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që, sipas tij, i përshkallëzojnë tensionet në veri dhe do të kenë “pasoja në marrëdhëniet dypalëshe” të SHBA-së me Kosovën. Ndërkaq, Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për të mediat huaja e quajti këtë deklaratë “të padrejtë, të gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naïve”. Me këtë rast ai i fajësoi “turmat fashiste” dhe Serbinë për këto incidente, kurse kjo e fundit ngriti gatishmërinë luftarake në kufi me Kosovën. Situata degjeneroi në protesta të dhunshme. Gjatë përleshjes me protestuese serbë u lënduan pjesëtarë të policisë së Kosovës.
Kurse, me 29 maj rreth 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, mbeten të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit. Me këtë rast komuniteti ndërkombëtar, kërkoi që kryetarët e rinj të largoheshin nga objektet komunale, dhe t’i ushtronin funksionet e tyre nga ndërtesa alternative. Kësaj thirrje ju përgjigjen kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci – që të dy nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për dallim prej atij të Leposaviqit Lulzim Hetemi i cili u ngujua që nga ajo kohë në ndërtesën e Kuvendit Komunal. Në kulmin e kësaj atmosfere shpërthyese, persona të maskuar, që dyshohet se ishin pjesëtarë të xhandërmisë së Serbisë, i kidnapuan tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës në afërsi të Leposaviqit. Autoritet serbe insistonin se ata u kapën brenda territorit shtetëror të vendit fqinj. KFOR-i kishte dalur menjëherë në vendin e ngjarjes, por që nga ajo kohë ka munguar një raport zyrtar nga ky mision për këtë ngjarje.
Kosova filloi dhe të shihet gjithnjë e më tepër si fajtore për këtë përshkallëzim të krizës. Fillimisht FSK u përjashtua nga stërvitjet “Defender Europe ’23’, edhe përkundër faktit se Kosova ishte një nga vendet nikoqire të kësaj stërvitjeje. Ky akt u konsiderua si ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën kundër Kosovës për, siç u tha, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe. Rezultatet pozitive në këtë drejtim nuk dolën as nga takimi i 22 qershorit në Bruksel që shefi i politikës së Jashtme të BE zhvilloi në mënyrë të ndarë me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë.
E për këtë sjellje jokoperative, sipas vlerësimeve të diplomateve ndërkombëtarë, asaj ju vendosen edhe masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian. Këto masa përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale. Gjithashtu masë tjetër mbetet ndalja e programit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 si dhe pezullimi i propozimeve të paraqitura nga Kosova në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Ato nuk u suspenduan as pas pajtimit formal që thuhet se ishte arritur në mes zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thanë se janë pajtuar për hapat drejt shtensionimit të situatës në veri. Kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës në këtë pikë mbeten pezullimi urgjent i operacioneve policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative, shpallja urgjente e zgjedhjeve të parakohshme lokale, dhe të vijohet me themelimin e Asociacionit, një detyrim ky i kahershëm i Kosovës. Albin Kurti i quajti këto masa të padrejta, kurse sipas tij zgjedhjet mund të mbaheshin vetëm me peticion, për çka edhe ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ndërmori masa për përgatitjen e një udhëzimi admisnbtrativ.
Sikur të mos mjaftonte ky kaos polarizimet e brendshme politike u rritën kur u bënë publike disa përgjime të Shefes së Grupit Parlamentar të VV, znj Mimoza Kusari me deputetë të Listës Serbe duke u koordinuar me nënkryetarin e kësaj partie të sanksionuar nga SHBA-të për krime ekonomike, Milan Radoiçiqin. Opozita e akuzoi pushtetin si të kapur nga Beogradi. Kjo bëri që deputetet e Kuvendit të Kosovës të përfshihen në një përleshje fizike deri sa kryeministri i Kosovës, Albin Kuti ishte duke raportuar për situatën në veri. E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe. Më pas zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi është ngritur nga karriga e tij dhe ka grisur fotografinë. Pas këtij veprim, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi, në mbrojtje të së cilit i erdhi ministri i Financave Hekuran Murati.
Në këtë atmosferë të tensioneve të jashtme e të brendshme politike, Shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrel i ftoi liderët e dy vendeve për një takim me 14 shtator me qëllim daljen nga qorrsokaku mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ky takim përfundoi me akuza dhe kundërakuza. Bashkimi Evropian e akuzoi Kosovën si palë përgjegjëse për dështimin e dialogut dhe u shpreh me tone pozitive për rolin e presidentit të Serbisë.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e akuzoi edhe BE-në se po mban anën e Serbisë. Ai tha “se kushtëzimi i Serbisë është kthyer në qëndrim të ndërmjetësueseve të dialogut dhe në këtë mënyrë ata e kanë cënuar edhe funksionin tyre. Për shkak të zhvillimeve në veri edhe marrëdhëniet me shtetin shqiptar njohën pikën më të ulët kritike. U anulua takimi i paraparë për t’u mbajtur në Gjakovë ndërmjet dy qeverive.
Të dy palët akuzuan njëra tjetrën. Edi Rama alarmoi se me këtë qasje ajo pjesë e Kosovës po rrezikon të shndërrohet në “tokë të askujt”. Sipas tij dërgimi i trupave shtesë të KFOR-it është çështje urgjente. Kurse Albin Kurti në shenjë revolte e shmangi takimin me të parin e Qeverisë së Shqipërisë, gjatë një vizite që ky i fundit zhvilloi në Prishtinë për të diskutuar për projektet e Samitit të Berlinit.
E gjendur nën masa ndëshkuese dhe cilësuar si palë sabotuese e procesit të dialogut, në orët e hershme të 24 shtatorit, Kosova u sulmua nga një grup terrorist dhe paramilitar nga Serbia të prirë nga Milan Radoiçiqi. Ky inkursion ndodhi në fshatin Banjë, ku ra në krye të detyrës në mbrojtje të integritetit territorial polici hero i Kosovës Afrim Bunjaku.
Gjatë përballimit të këtij sulmi nga Njësia Speciale e Kosovës mbetën të vrarë tre terroristë, kurse të tjerët ia dolën që të arratiseshin jo me shumë vështirësi në Serbi. Përfaqësuesit politikë të Kosovës e akuzuan shtetin fqinj si mbështetëse të këtij sulmi. Si dëshmi dhe prova u paraqit një arsenal masiv i armatimit që i takonte këtij grupi. Po ashtu, pamjet satelitore treguan për bazat ushtarake brenda territorit serb se ku ishin stërvitur pjesëtarët e këtij grupi. Kuvendi i Kosovës në seancën plenare të 28 shtatorit e miratoi një rezolutë ku kërkonte hetime ndërkombëtare për këtë sulm. Kurse i pari i qeverise gjatë fjalimit të tij para deputetëve deklaroi “se pas këtij sulmi Kosova më nuk mund të shkojë në dialog pa u ndëshkuar Serbia. Sepse nëse ajo nuk sanksionohet do ta përsërit krimin”.
Në anën tjetër, presidenti serb i mohoi akuzat duke thënë së sulmi i së dielës në fshatin Banjë në veri të Kosovës, ndodhi pasi “disa serbë të Kosovës u rebeluan, sepse nuk mund ta duronin terrorin e Kurtit”. Për armatimin e kapur nga policia e Kosovës ai tha se ishte me origjinë nga Bosnja, me të cilën Serbia nuk kishte të bënte asgjë, por që ishte siguruar në rruge ilegale nga serbët e Kosovës.
Bashkësia Ndërkombëtare e dënoi me tone më të ashpra këtë sulm. Ambasadorët e shteteve perëndimore, sikur se ai SHBA-ve dhe Gjermanisë pohuan se shihet qartë se ky atak nuk ishte spontan por i mirë-organizuar dhe mirë-planifikuar. Kërkuan nga Serbia ndëshkimin e personave përgjegjës, por nuk harruan të shtojnë se rruga e vetme që e kanë në dispozicion të dy vendet për shtensiomim të situatës mbetet rikthimi në tavolinën e dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian me qëllim zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe planin e zbatimit në arritur ne Ohër.
Me qëllim të përgatitjes së një takimi të tillë me 21 tetor pesë emisarët perëndimore vizituan Kosovën dhe Serbinë. Pas takimit në Prishtinë, Lajçak tha se diplomatët kanë “paraqitur një plan për të cilin kanë biseduar me Kurtin”. Edhe nga zyra e Kurtit u konfirmua se është diskutuar për planin e diplomatëve “për ecjen përpara”.
Me këtë rast Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, udhëtuan për në Bruksel për të zhvilluar takime të ndara me katër liderët evropianë më 26 tetor në Bruksel. Këto takime u mbajtën në margjina të Samitit të BE-së në mes të dy liderëve dhe presidentit te Francës, Emmanuel Macron, kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe përfaqësuesit të lartë i BE-së Josep Borrell. Pas përfundimit të këtij takimi Bashkimi Evropian njoftoi se ka paraqitur një “draft-statut modern për Asociacionin”. Zyrtarët e BE-së thanë se Kurti është zotuar për ta themeluar Bashkësinë e Komunave, mbi bazën e këtij dokumenti.
Ky draft-statut fillimisht iu dorëzua Qeverisë së Kosovës, mirëpo që i njëjti nuk është bërë publik deri më tani. Pas kthimit nga Brukseli opozita e ftoi të parin e Qeverisë në një debat parlamentar për të raportuar për pranimin e këtij drafti. Por as në seancën e 3 nëntorit ai nuk dha detaje për përmbajtjen e tij me arsyetimin se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, për shkak të obligimit ndaj emisarëve ndërkombëtarë.
Po ashtu, në këtë seancë Shefi i Ekzekutivit pohoi “se nuk ka pranuar asgjë, sepse s’e ka nënshkruar një marrëveshjet të tillë. Dhe pa nënshkrim nuk mund të ketë pranim”. Një çështje kjo që ka shkaktuar jo pak fërkime dhe dallime edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Sepse kjo e fundit i konsideron si obligim ndërkombëtar për shtetin e Kosovës ketë marrëveshje edhe pse mungon firma nga presidenti i Serbisë. Madje ata e kanë quajtur të panevojshëm një nënshkrim të tillë. Sepse kjo do të nënkuptonte që themelimi i Asociacionit është marrëveshje e veçantë ndërkombëtare çfarë edhe nuk është.
I njëjti dokument më vonë nga zyrtarët e Bashkimit Evropian i është dorëzuar edhe partive opozitare. Ato e kanë quajtur atë si mjet që shpie në federalizmin e Kosovës dhe zhbërje të shtetësisë. Mirëpo, as ato nuk e kanë publikuar këtë draft-statut, duke e shtuar edhe më tej dyshimin, misterin dhe jo transparencën për këtë proces. Për rrezikun e këtij drafti kanë folur edhe ekspertët juridikë. Enver Hasani në një sërë shkrimesh dhe intervistash ka pohuar se “nëse kalon ky draft ai e minon shtetësinë e Kosovës. Si njëra nga çështjet më kontestuese të këtij drafti sipas tij mbetet pika e arbitrazhit ndërkombëtar.
Por sipas të dërguarit të BE-së për dialogun Mirosllav Lajacak, kjo pikë u “referohet mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe autoriteteve qendrore të Kosovës në lidhje me zbatimin dhe interpretimin e Statutit. Pa këtë dispozitë, do të kishte një hendek ligjor sepse korniza ligjore e Kosovës as nuk përmban një mekanizëm për zgjidhjen e kontesteve për këtë lloj kontesti dhe as nuk e parasheh juridiksionin e gjykatave të Kosovës në raste të tilla”. Në këtë mënyrë i dërguari i BE-së për dialogun, e ka pranuar për herë të parë se sistemi juridik i Kosovës nuk ofron kushte juridike për akomodimin e Asociacionit sipas rendit kushtetues në fuqi.
Kosova po e përfundon këtë vit thuajse me të njëjtat detyrime mbi tavolinë që e ka filluar, pa një qartësi për drejtimin e procesit, me një ndryshim shtimin e trupave shtesë të KFOR-ir si reagim për krizën. Anëtarësimi në Këshill të Evropës ka mbetur pezull, për shkak të mos zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.
Ndërkohë, me 1 janar të vitit 2024 merr fund saga e liberalizmit të vizave për qytetaret e Kosovës, si të vetmit në rajon që qenë të privuar nga kjo drejtë. E mbase ai që nuk mund ta shijojë pranë gjirit familjar këtë festë si dhe ta gëzojë këtë mundësi edhe për një kohë, mbetet Lulzim Hetemi për shkak të vendosmërisë për ta mbrojtur të drejtën e tij për ta ushtruar pozitën e kryetarit në ndërtesën komunale, brenda së cilës është ngujuar tash e sa kohë.
Këtë vit njohësit e politikës e kanë karakterizuar si një vit të dialogut, përplasjeve të brendshme dhe si një vit që nuk prodhoi mundësi premtuese për zhvillim ekonomik dhe social.
/TV Arbëria