Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > 2 kartat politike të Serbisë

2 kartat politike të Serbisë

Shkruan Agron Hoti

Në vend që agresioni rus në Ukrainë ta largonte Serbinë nga Perëndimi për shkak të mosdistancimit të saj nga Rusia, ka ndodhur e kundërta: Serbia është afruar çdoherë e më shumë me Perëndimin, ndërsa Kosova është futur nën sanksione perëndimore. Janë dy karta, me të cilat Serbia po afrohet me Perëndimin në kurriz të papjekurisë së Kosovës, e ato janë: 1) mospërfaqësimi politik i serbëve dhe 2) fuqizimi i islamit politik.

1. Humbja nga Kosova e kontrollit në pjesën veriore të saj ngase sot s’ka gjykata, prokurori, burgje, kryetarë komunash me legjitimitet qytetar, i ka hapur gojën Serbisë se serbët e veriut kanë ngelur pa asnjë përfaqësim politik dhe administrativ. Mbi këtë bazë Perëndimi e futi Kosovën edhe nën sanksione, sepse ky mospërfaqësim i serbëve bie ndesh me Planin e Ahtisarit për një Kosovë multietnike. Ky është argumenti politik, të cilin Serbia po e përdor në Perëndim dhe nëpër botë. Ndërkohë, sanksionet dhe gjendja e tensionuar në veri kanë ndalur çfarëdo investimi të jashtëm në Kosovë. Sa më gjatë që vazhdon kjo gjendje, aq më mirë për Serbi, sepse kjo gjendje vetëm sa do ta nxisë edhe më shumë ikjen e rinisë dhe profesionistëve (trurit).

2. Fuqizimi i frikshëm i islamit politik që tashmë është duke e kapluar me të madhe edhe diasporën tonë po i jep argumentin Serbisë që Zajednica i duhet patjetër asaj si mburojë e serbëve përballë fuqizimit të islamit politik gjithandej Kosovës. Fakti që Kosova kishte numrin më të madh të ISIS-ëve për kokë banori në Evropë dhe fakti që Kosova po xhamijëzohet si asnjëherë më parë në histori po i jep argumentin Serbisë se serbët në veri ndjehen të kërcënuar nga rritja e islamit politik. Ky është argumenti historik, të cilin Serbia historikisht e ka përdorur në Perëndim kinse si vija e parë e frontit kundër vërshimit islam në Evropë dhe për hir të së vërtetës s’është që Serbia s’ka përfituar, bile është vetë ajo që po e nxit me të madhe islamin politik përmes raporteve të shkëlqyeshme që ka me vendet arabe dhe Turqinë që datojnë nga lëvizja e vendeve të painkuadruara.

Sa më gjatë që vazhdon mospërfshirja politike e serbëve në veri të Kosovës dhe sa më shumë që fuqizohet islami politik në Kosovë e diasporë, aq më të forta do të jenë argumentet e Serbisë për autonomi të serbëve të veriut. Kjo sepse Serbia po i thotë botës që serbët në veri ndjehen të kërcënuar nga qeveria e Kosovës dhe islami politik, ndaj i vetmi shpëtim i tyre është së paku Zajednica. Mjerisht gjendja në Kosovë po lexohet si e tillë nga jashtë. Fakti që BE e SHBA po këmbëngulin aq shumë në bërjen e Zajednicës dhe fuqizimin e kishës serbe tregon që argumentet janë në anën e Serbisë. E dhimbshme, por e vërtetë.

Ndërkohë, përçarja brutale politike në Kosovë e diasporë vetëm sa po çon ujë në Serbi. Për më tepër është pikërisht kjo përçarje brutale, e cila në aspektin psikologjik po shkakton demoralizim shoqëror që për pasojë po ka ikjen e frikshme të rinisë dhe ç’është më e keqja ikjen e profesionistëve. Mjerisht, Kosova as ka opozitë e as forcë të re politike në horizont për ta stabilizuar gjendjen politike në vend dhe për ta ndalur këtë trend të frikshëm të ikjes së njerëzve në kohën kur shqiptarët kurrë në histori s’kanë jetuar as për së afërmi më mirë se sot.

Themes by WordPress