Sot Republika e Kosovës po feston 17 vjetorin e Pavarësisë së vendit.
Me këtë ceremonitë shtetërore për shënimin e kësaj date tashmë kanë fillur çysh në orët e hershme të mëngjesit.
Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen solemne kushtuar kësaj dite, derisa u bënë homazhe te varri i ish-presidentit historic, Ibrahim Rugova dhe veprimtart, Adem Demaçi.
Krerët e shtetit në deklarimet e tyre para mediave kanë uruar qytetarët e vendit për ditën e pavarësisë, duke theksuar rolin dhe sakrificën e gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e sotme.
Përveç tyre, nuk kanë munguar edhe urimet nga miqtë e shumtë të Kosovës, shkruan TV Arbëria.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një shtet sovran, demokratik, shumëetnik dhe të begatshëm.
Teksa sot në ora 12:00, do të bëhet parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Kjo ngjarje mbahet nën patronatin e presidentes dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, derisa parakalimi zhvillohet në sheshin “George Bush”.
“Kjo ngjarje do të shërbejë si një nderim për të arriturat e vendit tonë dhe një mundësi për të gjithë qytetarët që të bashkohen në një atmosferë feste, për të shfaqur krenarinë kombëtare dhe për të kujtuar sakrificat e shumta në rrugën drejt lirisë e pavarësisë”, thuhet në njoftim.
E qytetarët nga Kosova dhe jo vetëm po e festojnë këtë ditë në mënyra të ndryshme./TV Arbëria./
e.