16 emigrantët e parë të nisur nga Italia, mbërritën të mërkurën në portin Shëngjinit me anijen ushtarake “Libra”.Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se 4 nga 16 emigrantët do rikthehen në Itali pasi dy prej tyre janë minorenë ndërsa 2 të tjerët do largohen për arsye shëndetësore .
Emigrantët, 10 prej tyre nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti, u shpëtuan të dielën nga anije të ndryshme emigrantësh që u larguan nga Libia ditë më pare.Anija ushtarake italiane me emigrantët e parë u nis të hënën e 14 tetorit nga ishulli i Lampeduzës në Itali.
Me ardhjen e tyre nis dhe zbatimi i marrëveshjes mes dy vendeve fqinje nënshkruar një vit më parë mes dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Italisë.Sipas dakordësisë së arritur mes Edi Ramës dhe Girogia Melonit në kampet e Gjadrit mund të qëndrojnë njëherësh të paktën 3 mije refugjatë.
Gjatë qëndrimit të tyre të mbyllur dhe pa të drejtën për të dalë jashtë territorit të përcaktuar si vendqëndrimi i tyre ata do të kryejnë procedurat për të përfituar azilin. Ata që do ta fitojnë do të transferohen në qendrat e pritjes në Itali, ndërsa atyre që u refuzohet do të kthehen në vendet e origjinës.Të gjitha shpenzimet do të përballohen nga qeveria e Romës ndërsa ajo e Tiranës do të jetë e përfshirë në garantimin e sigurisë veçmas jashtë territorit të kampit të Gjadrit dhe qendrës së pritjes në portin e Shëngjinit.
Marrveshja Rama Meloni është pritur me kritika të shumta jo vetëm në Italia por edhe nga organizmat ndërkombëtarë të të drejtave të refugjatëve.Ajo do ti kushtoje shtetit Italian 160 milionë euro në vit dhe është parashikuar të zgjasë deri në 5 vite me të drejtë të zgjatjes së afatit.