Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > 156 pjesëtarë të policisë u hetuan në vitin 2023 – listës i prin stacioni në Prishtinë

156 pjesëtarë të policisë u hetuan në vitin 2023 – listës i prin stacioni në Prishtinë

Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.

Në kuadër të këtij misioni IPK së fundmi ka publikuar raportin vjetor të punës për vitin 2023.

Departamenti i Hetimeve në kuadër të IPK-së, gjatë vitit që lamë pas ka hetuar 156 punonjës policorë dhe 22 qytetarë, shprehur në përqindje 1.8% e numrit të përgjithshëm të punonjësve policorë që janë hetuar nën dyshimin se janë përfshirë në veprimtari penale.

Sipas raportit thuhet se janë ngritur gjithashtu 74 kallëzime penale ndaj të dyshuarve për vepra kriminale.

“IPK-ja në ketë periudhe raportuese, ka realizuar gjithsej 35 arrestime (21 punonjës të Policisë së Kosovës dhe 14 qytetarë) nën dyshimin e arsyeshëm se kanë qenë të përfshirë në veprimtari penale si dhe kanë rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policorë”, thuhet në raportin e IPK-së.

Viti 2023 konsiderohet një vit i suksesshëm për Drejtorinë e Hetimeve në IPK, bazuar në të dhënat lidhur me numrin e rasteve të trajtuara, numrin e kallëzimeve penale, numrin e të arrestuarve, të suspenduarve etj.

“Në vitin 2023, DH-ja ka pranuar 540 raste përmes DMA-së në kuadër të IPK-së, ndërsa 334 raste kanë vazhduar trajtimin nga vitet paraprake në vitin 2023, kurse D.H pas zhvillimit të hetimeve penale 2 raste i ka iniciuar për hetim disiplinore.

D.H ka trajtuar gjithsej 876 raste, duke përfshirë rastet e bartura nga vitet paraprake si dhe rastet e pranuara në këtë vit”, thuhet mes tjerash në raport.

Totali prej 876 raste të trajtuara në vitin 2023 gjeneron si në vijim:

– 393 raste, nën hetim paraprak, në mungesë të elementeve të veprës penale apo dyshimit të arsyeshëm janë proceduar në DHB-PK për hetim të mëtutjeshëm administrativo – disiplinor;
– 184 raste janë parashtruar në Prokurorinë e Shtetit;
– 26 raste kanë mbetur në nivel informate të proceduar në DIA-DH;
– 22 raste janë bashkangjitur rasteve paraprake;
-2 raste janë kthyer në PK për hetim të mëtutjeshëm bazuar në mandatin ligjor;
– 43 raste, pas zhvillimit të hetimeve paraprake janë mbyllur në Arkiv–IPK;
– 198 raste, kanë mbetur në proces që vazhdojnë trajtimin në vitin 2024 (171 nën hetim paraprak, 25 nën hetim penal dhe 2 nën hetim administrativ disiplinor).

Policia e Kosovës ka gjithsej 8826 punonjës, nga të cilët 7958 janë zyrtarë policorë me grada të ndryshme, ndërsa 868 janë personel civil pa autorizime policore.

Në kuadër të kësaj gjatë vitit 2023 sipas raportit të IPK-së thuhet se janë hetuar 2 major, 3 kapiten të policisë, 7 toger, 15 rreshter, 120 zyrtarë policorë, 1 kadet dhe 8 shërbyes civil.

Gjatë vitit 2023 janë hetuar 107 punonjës policor të angazhuar në drejtoritë rajonale, ku DRP – Prishtina prinë nga të gjitha drejtoritë me numrin më madh të hetuarve nga radhët e saj, duke pasur edhe numrin më të madh të punonjësve të shpërndarë në stacione policore.

Ngritje e numrit të hetuarve krahasuar me vitin paraprak ka shënuar DRP – Mitrovicë Jug, DRP – Ferizaj, DRP – Prizren dhe DRP – Gjakova, ndërsa ulje e numrit të hetuarve, ka shënuar DRP – Prishtina, DRP – Mitrovicë Veri, DRP – Gjilan dhe DRP – Pejë.

Raportin e plotë të IPK-së mund ta gjeni Këtu.

 

 

 

Themes by WordPress