Një incident serioz familjar ka ndodhur paraditen e sotme në Ferizaj, ku një i mitur dyshohet se ka kanosur dhe tentuar t’i sulmojë prindërit e tij me mjet të mprehtë.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur për Sinjalin se më 22.02.2026 rreth orës 10:00, policia ka pranuar një informatë për dhunë në familje në rrugën “Hasan Prishtina”.
Njësitë reaguese kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar palët në stacionin policor, ku më pas janë intervistuar nga njësiti i hetimeve.
Viktima, M. P. E. ka deklaruar se djali i saj R.E. ishte bërë i dhunshëm në shtëpi dhe kishte tentuar ta sulmonte atë dhe bashkëshortin e saj, A. E, me thikë. Sipas saj, i mituri ishte nervozuar pasi babai i kishte kthyer një familjari një motoçikletë, të cilën ai e kishte përvetësuar ditë më parë.
E dëmtuara ka shtuar se kjo nuk ishte hera e parë që djali shfaqte sjellje të dhunshme dhe se situata ishte bërë e patolerueshme, çka e kishte detyruar ta raportonte rastin.
Edhe dy dëshmitarët, A. E. dhe L. E., kanë deklaruar se i mituri kishte tentuar t’i sulmonte prindërit me thikë dhe kishte demoluar disa gjëra në shtëpi, duke i detyruar ata ta neutralizonin derisa të mbërrinte policia.
Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një thikë (e llojit Boker).
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit nga Departamenti për të Mitur, rasti është iniciuar si “Kanosje” sipas nenit 181 të KPRK-së, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 24 orë.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.