143-vjetori i Betejës së Shtimes dhe Slivovës – Beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare së Prizrenit më 18 prill 1881 kundër ushtrive osmane. Afër 4.000 vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione të armatës së Dervish Pashës, me rreth 15.000 ushtarë e oficerë të pajisur me armatimin më të mirë të kohës.
Forcat osmane morën Shkupin në fund të marsit dhe marshuan drejt Ferizajt për të nënshtruar Fushë-Kosovën. Forcat shqiptare me M. Sokolin dhe A. Ibrën zunë vend afër Shtimes, ndërsa një pjesë tjetër pranë fshatit Slivovë.
Luftimet u zhvilluan prej 18 deri 20 Prill 1881. Luftëtarët e Lidhjes i thyen më se një herë sulmet e ushtrisë osmane dhe kundërsulmuan disa herë. Në një nga këto kundërsulme Mic Sokoli bllokoi me trupin e tij një grykë topi të armikut. Më 21 prill, shqiptarët, për shkak të epërsisë të armikut, u tërhoqën. Më 22 dhe 23 prill ata zhvilluan ndeshje në Dukël dhe Suharekë, për të penguar ushtrinë osmane të hynte në Prizren. Në maj u bënë përleshjet e fundit në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës.