Në Kosovë operojnë rreth 14 hidrocentrale pa leje mjedisore dhe pa leje për shfrytëzim të ujërave. Ndonëse, sipas Ministrisë së Mjedisit vetëm për dy hidrocentrale është ndalur puna dhe veprimtaria e tyre.
Kështu u tha gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit të performancës “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra” në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Kryetarja e këtij komisioni parlamentar, Hykmete Bajrami u shpreh se të gjeturat nga Zyra Kombëtare e Auditimit janë shqetësuese se i përket punës së hidrocentraleve.
Bajrami-Aliut: 14 hidrocentrale operojnë pa leje mjedisore, a e keni mbyllur ndonjë prej tyre
“Në faqe 14 të raportit të auditimit është një tabelë me numrin e hidrocentraleve, të cilat nëpër vite të ndryshme kanë kërkuar leje mjedisore. 6 hidrocentrale kanë kërkuar leje në vitin 2021, 4 në vitin 2020, 4 në vitin 2019, 1 në vitin 2018 dhe 2 në vitin 2016. Po ashtu thuhet që prej të gjitha këtyre hidrocentraleve, përveç dy të hidrocentraleve të gjitha hidrocentralet tjera operojnë pa leje mjedisore edhe gjatë periudhës së auditimit. Pra, ju ministër, sot I keni rreth 14 hidrocentrale apo edhe më shumë të cilat operojnë pa leje mjedisore. Kështu që na tregoni se hidrocentrale sot janë aktive, e të cilat nuk kanë leje mjedisore, të cilat janë duke prodhuar dhe shfrytëzuar ujërat pa leje mjedisore. Dhe po ashtu ka ndonjë hidrocentral që ju e keni mbyllë për mungesë të lejeve mjedisore? pyeti ajo.
Ministri i MPHI-së, Liburn Aliu u pajtua se çështja e hidrocentraleve në vend është shqetësuese, por theksoi se inspektorati i kësaj ministrie ka realizuar 24 inspektime në 24 hidrocentrale ku sipas tij kanë nxjerrë 16 vendime për ndërprerje të punimeve, janë shqiptuar 14 gjoba dhe janë iniciuar 2 raste penale në Prokurorinë Themelore.
Ministri Aliu i është përgjigjur pyetjeve të deputetes Bajrami, i cili tha se prej 14 hidrocentraleve pa leje mjedisore, 2 prej tyre iu është ndaluar puna me vendim të gjykatës.
Aliu: Dy hidrocentraleve iu është ndaluar puna me vendim të gjykatës
“Janë 15 hidrocentrale për të cilat janë lëshuar vendimet për ndalim të punimeve për shkak të mungesës së lejeve mjedisore. Për 2 prej tyre ka vendime prej gjykatës për ndalim. Prej raportit të inspektoratit që e kemi ne kemi ndalime të operimeve për këto hidrocentrale. Tash këtu përfundon deklarata ime… Me përjashtim të atyre me vendim të gjykatës, të cilat janë ndalur që në fillim, te rastet tjera nuk mund të themi që janë ndalur”, theksoi Aliu.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se në strategjinë për energji që pritet të dërgohet në Kuvend së shpejti, nuk janë paraparë kapacitete të reja nga burimet ujore.
Ajo tha se në strategjinë për energji 2022-3031, parashihen 1300 megavat kapacitete të reja nga burimet diellore dhe nga era.
Rizvanolli: Në strategjinë për energji nuk kemi paraparë investime në hidrocentrale
“Duke qenë se ministria e Ekonomisë nuk ka ndonjë kompetencë për lëshimin e lejeve apo licencave për operim, mirëpo ne kemi një rol për planifikimin strategjik të sektorit. Me këtë rast duatë theksoi se në strategjinë për energji 2022-3031, të cilën së shpejti do ta sjellim në kuvend parashihen 1300 megavat kapacitete të reja nga burime diellore dhe nga era. Pra, jo kapacitete të reja ujore, duke marrë parasysh problemin me të cilin po përballemi deri tani. Ndërsa, nuk e përjashtojmë mundësinë që në të ardhmen në qoftë se kemi një master plan për ujërat që identifikon potencialet për të ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk kanë ndikim mjedisor, sigurisht se do ta shqyrtojmë në të ardhmen. Mirëpo, tani për tani nuk parashohim kapacitete të reja nga burimet ujore”, theksoi Rizvanolli.
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza tha se ka nevojë për një koordinim më të mirë ndërinstitucional për të pasur rend dhe rregull në këtë fushë.
Hamza: Ka nevojë për rend dhe rregull në këtë fushë, sepse i humbim investitorët seriozë
“E kemi pranuar raportin, shihet qartë që ka nevojë për koordinim më të mirë mes të gjitha institucioneve që janë përgjegjëse në këtë fushë, me qëllim që të kemi vendosjen e një rendi dhe rregulli në këtë fushë. Ne kemi nevojë për shtimin e kapaciteteve prodhuese prej energjisë së ripërtritshme, mirëpo nëse këtë nevojë ekonomike e vendosim brenda kuadratit ligjor, ne jemi të detyruar me i zbatuar ligjet… Ne duhet të jemi efikas në kohë për trajtimin e kërkesave të operatorëve ekonomikë, sepse për ndryshe edhe investitorët nëse përballen me vonesa, burokraci, sigurisht se nuk mund të kemi investitorë serioz në këtë fushë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, u shpreh Hamza.
Ndërsa, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se përgjegjësia për hidrocentralet në Deçan nuk bie mbi komunën e tij. Po ashtu Ramosaj tha se Deçani sanksionohet prej dy ligjeve.
Ramosaj: Deçani sanksionohet me ligje
“Deçani sanksionohet me një ligj, që është Ligji për zonat e veçanta. Po ashtu është një ligj mbi parkun nacional. Përgjegjësia jonë si komunë nuk ka qenë për këto hidrocentrale”, theksoi ai. /TV Arbëria