Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Lidhet edhe fshati i fundit me internet brezgjerë, nga projekti përfituan mbi 400 të rinj e 200 fshatra

Lidhet edhe fshati i fundit me internet brezgjerë, nga projekti përfituan mbi 400 të rinj e 200 fshatra

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë marrë pjesë në ngjarjen “Kosova Connected”, ngjarje kjo për të shënuar shtrirjen e infrastrukturës telekomunikuese në komunën e Podujevës. 

Nga ky projekt përfituan 13 fshatra të kësaj komune, me mbi dy mijë banorë, pesë shkolla dhe një ambulancë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se pas këtij projekti të Qeverisë dhe donatorëve, ky fshat është mbuluar 100% me internet, teksa tha se qëllimi ka qenë që qytetarët e këtij fshati të kenë qasje në të dhëna dhe mundësi ekonomike.

“Infrastruktura nuk bëhet për hir të ndërtimit, me rëndësi për ne është që kjo hartë që po e shohim, çdo banor i Kosovës ka qasje në të dhëna, në mundësi ekonomike, në punësim. Kjo i konvenon asaj qe në synojmë, pra të rrisim qasjen e gjithsecilit dhe të kemi një barazi sociale e ekonomike”, tha ajo.

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se nga ky projekt kanë përfituar afër 13 fshatra të kësaj komune.

“Kjo arritje është realizuar nëpërmjet investimeve nga ana e Qeverisë dhe donatorëve të jashtëm, investime këto që kanë bërë të mundur që të gjitha shkollat të kenë qasje në internet”. 

“Me shtrirjen e internetit në të gjitha shkollat nxënësi dhe mësuesit kanë qasje në internet. Me internet qytetarët dhe bizneset përfitojnë. Interneti është një ndihmë e madhe edhe për biznesin dhe punësimin e të rinjve tanë. Nga ky projekt përfituan 13 fshatra me dy mijë e 300 banorë, pesë shkolla dhe një ambulancë”.

Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, tha se projekti është veçanërisht me rëndësi për Kosovën për shkak të popullatës së re që ka.

“Ajo çfarë është me e rëndësishme është fakti se në një vend si Kosova, në një vend me kaq shumë të rinj, t’ju mundësojmë qasje ne internet pafund. Ju themi qe e ardhmja është e juaja dhe tashmë Kosova është vend lider në rajon për qasje ne internet. Kjo gjë është e mrekullueshme”.

Këta janë fshatrat që përfituan nga projekti: Herticë, Turiqicë, Brainë, Pushevicë, Karlativë, Berminik, Metergovc, Miroc, Brec,Murgu, Sylevic, Ternavic, Zhiti.

/TV Arbëria

Powered by WordPress