Kur kishin mbetur më pak se gjashtë muaj nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, kur Frank Wisner theksonte se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë e vendit nuk do të ndryshonte.
Burrshtetasi i vjetër i politikës së jashtme amerikane, i cili siç shkroi sot Washington Post, ishte i vendosur të bëhej diplomat kur ishte vetëm 13 vjeç, angazhohej fort për këtë. Administrata e George W. Bush e kishte kthyer atë nga pensionipër t’u bërë në vitin 2005 i dërguar special i Washingtonit për negociatat për statusin e Kosovës.
Frank Wisner vdiq sot në moshën 86-vjeçare në Mill Neck, New York.
Ai, siç shkroi sot WP, ankohej se Serbia refuzonte ta njihte pavarësinë e Kosovës.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 7 gusht 2007, Wisner pyetej se a do ta njihte SHBA-ja pavarësinë e Kosovës pavarësisht kundërshtimit të Rurisë. Përgjigjej duke e theksuar fort atë që e kishte thënë Bush në Tiranë.
“Mendoj, në këtë fazë, le t’i kalojmë këto 120 ditë. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është i qartë. Presidenti [Bush] e njoftoi në Tiranë, siç e keni vënë re. Ky pozicion nuk do të ndryshojë, ne qëndrojmë fort pranë tij. Por, detyra e menjëhershme është që të dy palët të parashtrojnë idetë, propozimet, sugjerimet e tyre përfundimtare dhe ta çojnë këtë çështje në një përfundim përpara datës 10 dhjetor”, shprehej Wisner.
Diplomati amerikan thoshte se SHBA-ja po ecte drejt asaj pike. “Është shpenzuar mjaft kohë. Ne kemi nevojë për qartësi”, deklaronte ai.
Prishtina dhe Beogradi, siç shprehej ai, i kanë mendimet e tyre dhe duhet t’i hedhin ato në tryezën e negociatave.
Planin e Marti Ahtisaarit e konsideronte “jashtëzakonisht të rëndësishëm”. Palët, thoshte ai “do ta kenë një shans të fundit për të parë se si duan të ecin përpara”.
“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon e bëri të qartë se pret një raport nga Grupi i Kontaktit para datës 10 dhjetor. A do të thotë kjo se çështja e statusit të Kosovës do të kthehet në Këshillin e Sigurimit pas kësaj date?”, pyetej Wisner.
“Nuk jemi në 10 dhjetor, kështu që po më bëni një pyetje shumë hipotetike”, përgjigjej. “Por përsa i përket Shteteve të Bashkuara, ky është raundi final i negociatave. Kjo duhet ta çojë çështjen në një përfundim. Ne duhet të jemi në gjendje në fund të 120 ditëve të marrim një vendim për statusin përfundimtar [të Kosovës]”, nënvizonte qartë.