Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > 106-vjetori i ndarjes nga jeta të luftëtarit shqiptar, Themistokli Gërmenji

106-vjetori i ndarjes nga jeta të luftëtarit shqiptar, Themistokli Gërmenji

Sot, përkujtohet 106-vjetori i ndarjes nga jeta të atdhetarit dhe luftëtarit shqiptar, Themistokli Gërmenji (Korçë, 1871 – Selanik, 9 nëntor 1917)

Themistokli Gërmenji -veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike para dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë. Lindi në Korçë, ku mori mësimet e para. Më 1892 mërgon për në Rumani, ku punoi në fillim çirak e më pas u mor me tregti. U lidh me shoqëritë patriotike “Drita” e “Dituria” dhe u përfshi në veprimtarinë e tyre atdhetare.

Pas Revolucionit xhonturk të korrikut 1908 hotel “Liria” në Manastir, pronë e vëllezërve Themistokli dhe Telemak Gërmenji, u bë qendër e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në vitin 1911 Themistokli Gërmenji shkoi në Itali, ku u lidh me rrethet arbëreshe, pastaj kaloi në Korfuz, ku u aktivizua në një qendër patriotike shqiptare e më pas më 1912 u vu në krye të një çete luftëtarësh të armatosur, që vepronte në krahinën e Korçës.

Në vitin 1912 bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit dhe më 1913-1914 kreu detyra të rëndësishme në administratën e shtetit të pavarur shqiptar. Në shtator 1914 ai shkoi në Rumani dhe në janar 1915 në Bullgari, ku botoi revistën “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”. Në vitet 1916-1917 u kthye në Shqipëri, ku luajti rol kryesor për nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, me të cilin u shpall krahina “autonome” e Korçës.

Fitoret e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e bënë Themistokli Gërmenjin object goditjesh nga politikanë të huaj, që mbanin qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë. Ata trilluan ngjarje të rreme për veprimtarinë e tij si “agjent” i austro-hungarezëve, në bazë të të cilave u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze në Selanik dhe u pushkatua.

/TV Arbëria

Powered by WordPress