Bjeshkët e Çajës në Kukës të mbuluara nga dëbora kanë tërhequr vëmendjen e skiatorëve të huaj profesionistë.
Ardian Musaj, guidë lokale në Kukës, ka thënë sot për ATSH-në se “gjatë fundit të janarit dhe fillimit të muajit shkurt në Bjeshkët e Çajës kanë mbërritur rreth 100 skiatorë profesionistë nga Franca, Austria, Gjermania dhe Zvicra”.
“Fundjavën që lamë pas një grup skiatorësh nga Zvicra, e krahasuan Çajën si Alpet e Zvicrës“, shprehet Musaj.
Musaj bëri të ditur se “skiatorët zviceranë i treguan se kishin kërkuar në Google dhe u kishte pëlqyer shumë Çaja, si një vend i përshtatshëm për ski dhe i paprekur nga dora e njeriut”.
Sipas tij, skiatorët marrin me vete çdo pajisje që iu duhet për të bërë ski.
“Në ditët në vijim presim të vijnë edhe skiatorë të tjerë, të cilët këtë vit duket se janë më të shumtë në Bjeshkët e Çajës“, tha Musaj.
Gjatë stinës së dimrit Bjeshkët e Çajës janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive. Në Bjeshkët e Çajës të Kukësit ndodhet edhe shtegu i ngjyrave, i cili në çdo stinë, por sidomos në pranverë tërheq një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.
/TV Arbëria