Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > 10 të arrestuar në Tiranë, akuzohen për plagosje me thikë, drogë, municione e vjedhje

10 të arrestuar në Tiranë, akuzohen për plagosje me thikë, drogë, municione e vjedhje

Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka vënë në pranga 10 persona, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Tre persona, B. L., 31 vjeç, I. M., 20 vjeç dhe R. K., 34 vjeç, janë arrestuar pasi akuzohen se kanë plagosur një 41-vjeçar me thikë, i cili ndodhet në spital.

Ndërkohë, shtetasit I. H., 34 vjeç, dhe A. D., 40 vjeç, janë arrestuar pasi kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e policisë.

Në pranga është vënë edhe një 31-vjeçar pasi është kapur me kokainë e municione. Po ashtu, janë arrestuar për vjedhje tre të mitur, si dhe një 22-vjeçar, i cili ka goditur me grushte 3 punonjës të shërbimit privat të sigurisë fizike.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. M., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe municion luftarak.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasit I. H., 34 vjeç, dhe A. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, parashikuar nga nenet 236 dhe 237 të Kodit Penal, pasi kanë kundërshtuar me forcë një punonjës policie, për shkak të detyrës.

Gjithashtu, nga këta specialistë u bë arrestimi në flagrancë i 3 shtetasve të mitur të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se kanë vjedhur një çantë në një automjet, në rrugën “Vangjel Furxhi”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit:

– B. L., 31 vjeç, I. M., 20 vjeç dhe R. K., 34 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/25 i Kodit Penal. Në rrugën “Ramazan Gaxherri”, 3 të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjet prerës shtetasin F. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;

– K. C., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, pasi për shkak të detyrës ka goditur me grushte tre punonjës të shërbimit privat të sigurisë fizike”, njofton policia.

Themes by WordPress