Shkruan: Afrim Haliti
Shkëlzen Gashi nuk është vetëm një figurë e rëndomtë por është simptomë e një mënyre të të menduarit që nuk gabon rastësisht, por që me vetëdije të plotë përpiqet ta relativizojë luftën dhe ta zhveshë atë nga kuptimi çlirimtar.
Kur në ekspozitë për masakrat e kryera nga Serbia, shqiptarët e masakruar na dalin si “persona të armatosur”, kjo nuk është vetëm pasaktësi e thjeshtë. Përmes kësaj, Shkëlzeni me shokët e tij i bëjnë nder të drejtpërdrejt narrativës që Serbia është munduar ta imponojë prej vitesh, atë që në Kosovë nuk ka pasur viktimë dhe agresor por konflikt ku “të gjithë kanë faj”.
Por problemi me Shkëlzen Gashin nuk fillon këtu. Ky është vetëm kapitulli i fundit i një linje të gjatë. Nga KAN-i, te roli i tij si këshilltar i Albin Kurtit, e deri te projektet e tij “akademike”, Shkëlzeni ka ndërtuar një profil të qëndrueshëm si njeri që gjithmonë dhe me zell e zhvendos theksin nga krimi shtetëror serb te “balancimi” i fajit.
Ai drejtpërdrejt nuk e thotë se Serbia nuk ka kryer gjenocid por bën diçka më të sofistikuar. E stërhollon përgjegjësinë derisa të zhduket dallimi. Demek disa shqiptarë të këqij, disa serbë të këqij, e disa të mirë nga të dyja anët. Kështu e krijon një simetri të pastërt artificiale, që i shërben vetëm një qëllimi, qëllimit që ta zbusë barrën historike të Serbisë dhe ta ngarkojë atë, sado pak, edhe mbi shqiptarët.
Këtu i del punë me UÇK-në.
Shkëlzeni nuk e sulmon gjithmonë hapur por kujdeset që ta zhvendos në pozicion të dyshimtë. E paraqet si kinse të pafuqishme për të mbrojtur civilët, madje në shpesh raste si faktor që “ka nxitur” reagimin serb. Kjo mund të jetë gjithçka tjetër përveç se analizë. Kjo është përsëritje e një rrëfimi të njohur, që përkon në mënyrë të frikshme me logjikën e aktakuzave të Hagës dhe me propagandën serbe të fundviteve ‘90.
Në këtë mënyrë, duke e ndarë popullin nga rezistenca e vet, e bën të mundur që vetë rezistenca të kriminalizohet. Shkëlzeni ia ka dalur ta bëjë këtë disa herë.
Edhe burimet që përdor Shkëlzeni nuk janë neutrale siç paraqiten. Humanitarian Law Center dhe raportet e Human Rights Watch janë përdorur nga ai në mënyrë selektive për të ndërtuar narrativën që e zhvendos fokusin nga shteti serb te individë të izoluar, duke u mundu ta krijojë një iluzion barazie. Kush kupton e di që kjo është metodë e jo rastësi.
Tutje, kur një produkt i tillë financohet nga qeveria, promovohet dhe vendoset në zemër të Prishtinës, ai më nuk është projekt vetëm personal por bëhet mesazh publik.
Në fund, problemi me Shkëlzenin nuk është se ai provokon far debati. Problemi është se ai e shtrembëron debatin. Shkëlzeni, qëllimshëm nuk e ndriçon historinë por vetëdijshëm e mjegullon atë. Në vend që ta forcojë kujtesën kolektive ai dobëson atë.
Kështu shkatërrohet e vërteta.
Shkëlzeni nuk është i vetëm në këtë përpjekje.