Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > PSE VETËVENDOSJE NUK DUHET VOTUAR NESËR

PSE VETËVENDOSJE NUK DUHET VOTUAR NESËR

Shkruan: Afrim Haliti

(Një shkrim për ata që kanë aftësinë të bëjnë dallimin mes arsyes dhe adhurimit)

Vjen një moment në politikë kur pushteti nuk shqetësohet më nga dështimet por trembët nga kritika. Hannah Arendt e sqaronte këtë fenomen si epokën kur politika e braktisë llogaridhënien dhe kërkon ngushëllim në diskursin moral. Kryesisht për shkak të faktit se morali, në kontrast me rezultatet e prekshme, nuk matet e as nuk mund të verifikohet. Si pasojë, kur pushteti e bindë veten për superioritet moral, ai më nuk percepton asnjë domosdoshmëri për të dhënë llogari për veprimet e veta.

Kështu duket sot Vetëvendosja.

Në pushtet, Vetëvendosje nuk sillet si qeveri që duhet të dëshmojë çfarë ka bërë, por si autoritet moral që duhet të besohet pa kusht. Kjo pikë, kur këta këmbëngulin në besim duke i ikur vlerësimit, është pika kur këta bëjnë kapërcimin fatkeq nga politika në dogmë.

Filozofi francez Michel Foucault do ta karakterizonte këtë fazë si krijimin e së vërtetës përmes dinamikës së pushtetit. Dinamika e tillë përfshinë jo vetëm qeverisjen por sigurisht se edhe kontrollimin e diskursit. Në këtë mënyrë pushteti përcakton jo vetëm se cilat veprime duhet të ndërmerren por gjithashtu dikton proceset e mendimit, fut skepticizmin ndaj individëve të caktuar, përcakton ata që konsiderohen të virtytshëm dhe identifikon të tjerët që margjinalizohen si devijues. Në këtë paradigmë, pyetja “a funksionon?” zëvendësohet me pyetjen “a jeni me ne a me ata?”

Këtu, politika kalon nga një mekanizëm racional në një kornizë të bazuar në strukturë besimi.

Dhe çdo sistem i tillë besimi, në lidhje me pushtetin, manifestohet si sekt.

Sektet shfaqin karakteristika të caktuara dhe të pandryshueshme si udhëheqës të “pagabueshëm”, ndjekës të palëkundur dhe një realitet që ripërcaktohet sa herë që nuk arrin të përputhet me narrativën mbizotëruese. Brenda një sekti, koncepti i dështimit nuk ekziston, vetëm modifikohet me prova të reja që sugjerojnë se besimi ekzistues nuk ka qenë mjaftueshëm i fortë.  Kjo është ajo që shpërfaqë dinamikën operacionale të Vetëvendosjes në kontekste bashkëkohore.

Pas një periudhe pesëvjeçare të qeverisjes së Vetëvendosjes, Kosova është përkeqësuar në funksionalitet. Kosova duket dukshëm më e ngurtë.

Nuk është e respektuar si më parë. Është më e izoluar.

Nuk është më tepër e sigurt. Është më e pasigurt, e lodhur dhe e përçarë.

Mirëpo, elektorati tentohët të bindet se kjo nuk është dështim por sakrificë.

I thuhet se ky nuk është izolim por fuqizim i sovranitetit.

I thuhet se ky nuk është stagnim por fuqizim i dinjitetit.

Mu kështu tingëllon gjuha klasike e sektit. Tonalitet i njëtrajtshëm. Kur rrethanat shkojnë keq, faji kurrë nuk është i liderit por i një botë të tërë që nuk arrin assesi ta kuptojë madhështinë dhe partikularitetin e tij.

Në këtë pikë, figurë kryesore na servohet lideri!

Në demokraci konvencionale, lideri shërben si kujdestar i përkohshëm i shtetit, mirëpo brenda arsyetimit sektar të Vetëvendosjes, lideri është standard i moralit. Gjithmonë i pagabueshëm. Nëse rezultatet janë të pafavorshme, faji qëndron tek qytetarët, opozita, mediat, komuniteti ndërkombëtar apo të ashtuquajturit “tradhtarë” e “të shitur” e kurrë tek lideri.

E ky lider nuk i artikulon mesazhet e tij në cilësinë e një kryeministri por komunikon si predikues.

Ky lider nuk qeverisë si administrator por udhëzon si guru i moralit.

Ky lider përmbahet nga vetëkritika, pasi një introspektim i tillë do të shkatërronte mitin i cili shërben si themel i autoritetit të tij.

Rrjedhimisht, pushteti i tij vazhdimisht shkakton tension. Sepse pa konflikt nuk ka mit. Pa armik nuk ka justifikim. E në mungesë të krizave nuk ka platformë për predikimin.

Elektorati i verbër i tij nuk e mbështetë këtë lider për shkak të arritjeve që ka realizuar. E mbështetë sepse ka besuar tek ai. Të pranosh se lideri ka dështuar do të thotë të pranosh se ke gabuar vetë.

Prandaj çdo kritikë e perceptojnë si sulm personal. Sepse nuk sfidon ndonjë program politik, por një identitet. Pra, ky diskurs tejkalon debatin politik duke ndërhyrë direkt në bindje.

Mirëpo, shtetet nuk ndërtohen eksluzivisht mbi bazën e të bindurit. Ato ndërtohen mbi bazën e institucioneve që veprojnë në mënyrë efektive edhe atëherë kur liderët gabojnë. Ato ndërtohen mbi bazën e një ekonomie që gjeneron e jo mbi bazën e ndihmave që ofrojnë lehtësime të përkohshme dhe të limituara. Ato ndërtohen mbi bazën e diplomacisë që hapë dyer e jo mbi veprime e retorikë që nxisin izolim.

Vetëvendosje ka dështuar ta kuptojë këtë parim themelor. Ajo njeh vetëm kundërshtimin e jo përpjekjet konstruktive. Ajo i jep prioritet ankesave të përjetshme duke harruar se duhej të qeveriste. Në vend që të nxisë efikasitetin operacional ajo vazhdon të moralizojë pafundësisht.

Kur nuk ndërton asgjë, e quan luftë kundër korrupsionit.

Kur shkatërron marrëdhënie diplomatike, e quan dinjitet.

Kur bizneset mbyllen dhe investitorët ikin, e quan pastrim moral.

Mirëpo, morali nuk ofron asnjë shpërblim financiar. Morali nuk gjeneron mundësi punësimi. Morali nuk mbanë shtet.

Kjo është arsyeja kryesore se pse Vetëvendosja nuk duhet votuar.

Dhe jo për shkak se është e majtë e as për shkak se është populiste. Por sepse ajo e ka shndërruar pushtetin në kryqëzatë morale, kritikën në akt tradhtie e qytetarin vetëm në ndjekës të thjeshtë dhe të parëndësishëm përtej funksionit të votimit.

Një shoqëri mund t’i mbijetojë një qeverie të keqe. Megjithatë nuk i mbijeton lehtë një qeverie që e udhëzon qytetarin të shmangë mendimin kritik në favor të besimit të verbër.

Ta votosh Vetëvendosjen sot nuk përfaqëson angazhim për ndryshim. Ta votosh Vetëvendosjen sot nënkupton edhe një hap më shumë drejt ngecjes intelektuale. Ta votosh Vetëvendosjen sot tregon mbështetje për një parti që vazhdimisht e racionalizon paaftësinë e saj në vend që të demonstrojë metodologji efektive. Ta votosh Vetëvendosjen sot nënkupton miratim të një strukture që nuk njeh kufizime për shkak të vetëbesimit në superioritetin e saj moral.

Të mos e votosh Vetëvendosjen nuk është akt urrejtjeje por akt çlirimi. Të mos e votosh Vetëvendosjen shënon tranzicionin në të cilin qytetari shkëputet nga dogma dhe përqafon rolin e tij si pjesëmarrës aktiv në shoqëri. Kjo do të shënonte momentin kur qytetari e braktisë sektin dhe rikthehet në qytetar. Momentin kur të dyshuarit dhe skepticizmi ndaj qeverisë kthehet në virtyt.  Momentin kur lideri zbret nga piedestali dhe shteti ngjitet në statusin e tij të ligjshëm.

Sepse demokracia nuk zhduket vetëm kur vjen diktatura. Demokracia vdes më herët, atëherë kur pushteti shndërrohet në të vërtetë absolute dhe qytetari pranon të besojë verbërisht në vend që të gjykojë.