Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ANATOMIA E NJË KONTRADIKTE

ANATOMIA E NJË KONTRADIKTE

Shkruan: AFRIM HALITI

 

Rrëfimet politike që pretendojnë versionin përfundimtar të historisë, unë nuk i marr kurrë si të mirëqena, por gjithmonë me pak kripë. Sidomos ato që kanë ambicie për ta sunduar kujtesën e të tjerëve. Një i tillë ishte edhe rrëfimi i fundit i Veton Surroit për Rambujenë dhe rolin e Hashim Thaçit në të.
Në këtë rrëfim, Surroi na kërkon të besojmë që Hashim Thaçi nuk ishte figura qendrore në Rambuje, madje se ishte “figura kryesore negative”, dhe se gjithçka që është thënë për rolin e tij është vetëm produkt i një propagande të ndërtuar më vonë. Ky tregim i Surroit në lexim të parë tingëllon bindës për shkak se është i thjeshtë. Mirëpo mu për shkak se është i thjeshtë është edhe i dyshimtë sepse historia e Rambujesë nuk ka qenë kurrë e thjeshtë.
Nëse i referohemi burimeve, e jo kujtimeve selektive, del një tablo tjetër. Delegacioni i Kosovës në Rambuje nuk ka qenë grup pa formë, por një strukturë që ka pasë një bërthamë të qartë drejtimi. Në atë bërthamë ndodheshin disa figura, e ndër to ishte edhe Hashim Thaçi. Jo si diktator i procesit, por si një nga qendrat e tij.
Përndryshe kjo nuk është çështje simpatie apo antipatie por çështje dokumentimesh.
Raportet ndërkombëtare të kohës, analizat akademike dhe burimet e ndryshme diplomatike, Hashim Thaçin e përshkruajnë si kryesues të delegacionit, madje edhe si figurë udhëheqëse brenda atij delegacioni. Kjo nuk e bën atë të vetmin, por e bën të pamundur ta paraqesësh Hashim Thaçin si figurë periferike që rastësisht u gjend aty.
Surroi, ndërkaq, e bën pikërisht këtë.
Për ta bërë këtë, Surroi e përdor një truk të vjetër. E ngatërron kolektivitetin me mungesën e qendrës. Për arsye se po, procesi njëmend ishte kolektiv. Po, kishte figura të tjera të rëndësishme. Po, vendimet nuk ishin monopol i vetëm një njeriu. Mirëpo asnjëra nga këto nuk e përjashton ekzistencën e një figure qendrore brenda atij kolektiviteti.
Në secilin proces historik serioz, ka bashkëjetesë në mes të dyjave.
Ironia qëndron në atë se vetë Surroi bie në kontradiktë që e mbytë tërë argumentin e tij. Nga njëra anë na thotë se Hashim Thaçi nuk ishte figura qendrore por vetëm “ ”. Nga ana tjetër, e përshkruan si njeriun që pothuajse e fundosi marrëveshjen, si pengesën kryesore dhe si rrezikun real për dështimin e gjithë procesit.
Tashti, nuk mund t’i kesh të dyja.
Ose ishte figurë dytësore, e atëherë nuk do ta kishte fuqinë ta bllokonte procesin në atë shkallë ose ishte figura kyçe! E nëse ishte figura kyçe, atëherë nuk mund ta minimizosh në vetëm një pjesëmarrës të zakonshëm që thjesht u gjend aty.
Kjo është çështje logjike e jo interpretimi.
Problemi më i thellë i tekstit të Surroit nuk është kontradikta por metoda.
Surroi në tekstin e tij flet me sigurinë e dikujt që po citon ndonjë arkiv të hapur, por në fakt ai citon vetëm veten. Episode të tëra vendimtare, propozime, fjalime, kërcënime e dorëheqje nga ai paraqiten si të padiskutueshme, edhe pse pa dokumentim publik, pa referenca të verifikueshme dhe pa krahasime me dëshmi alternative.
Kjo nuk quhet histori.
Kjo është kujtesë e personalizuar që dëshiron të bëhet standard.
Mirëpo historia nuk funksionon kështu.
Madje, kur hulumtojmë jashtë këtij rrëfimi dhe shohim dëshmitë ndërkombëtare, tabloja bëhet edhe më e ndërlikuar. Diplomatë të kohës kanë theksuar se Hashim Thaçi nuk kishte kontroll absolut mbi strukturat e UÇK-së dhe se shpesh pasqyronte një vendimmarrje më të gjerë sesa e impononte atë. Kjo e bën edhe më problematike idenë e Surroit se ai ishte “figura kryesore negative” që po e “sabotonte” procesin si individ.
Në atë rast, kush po vendoste në të vërtetë?
Nëse ai nuk kishte kontroll të plotë, atëherë ai nuk mund të ishte as autori i vetëm i rrezikut. E nëse kishte, atëherë Surroi gabon kur e paraqet vetëm si një figurë të rëndomtë brenda një grupi të barabartë.
Në të dyja rastet, rrëfimi i tij çalon.
Pastaj vjen edhe pikëpamja tjetër, më e mllefosur por po aq e rëndësishme. Surroi tallet me idenë se leximi i Deklaratës së Pavarësisë e bën dikë figurë qendrore. Në një pikë ka të drejtë. Në atë se vetëm leximi i një teksti nuk të bën autor të historisë.
Por askush serioz nuk e ka thënë këtë.
Kjo është karikaturë e argumentit të kundërt e jo vetë argumenti.
Roli i Hashim Thaçit në procesin e pavarësisë nuk qëndron te leximi i deklaratës, por te e vërteta e patjetërsueshme që ai ishte pjesë e bërthamës vendimmarrëse në fazat kyçe të atij procesi. Dhe këtë nuk e thotë propaganda por e thonë dokumentet dhe arkitektura institucionale e kohës.
Pra, çka na mbetet në fund nga ky tekst?
Asgjë, përveç se një përpjekje për ta rishkruar historinë në mënyrë të tillë që protagonizmi të zhvendoset, fajet të përqendrohen dhe meritat të rishpërndahen sipas një logjike që i shërben rrëfimtarit.
Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Mbase, as e fundit.
Problemi është se kur kjo bëhet nga dikush që ka qenë vetë brenda procesit atëherë rreziku është më i madh sepse autoriteti i përvojës personale krijon iluzionin e së vërtetës absolute.
Qytetarët dhe lexuesit duhet që pikërisht këtë iluzion ta refuzojnë.
Rambuje nuk ishte histori e një njeriu të vetëm. Rambuje nuk ishte as histori e një grupi heronjsh të pastër kundër një individi “problematik”. Rambuje më shumë se kaq ishte proces i ndërlikuar, me tensione e hezitime, presione e vendime të vështira.
Hashim Thaçi nuk ishte as shpëtimtari i vetëm e as sabotuesi i vetëm.
Ndërkaq, as Veton Surroi, me gjithë përvojën e tij, nuk është gjykatësi i fundit i asaj historie për shkak se historia nuk i përket atij që e rrëfen më bukur por atij që nuk e përdor për t’i larë hesapet me të kaluarën.